Teatri i Tetovës u bë me drejtor të ri, me të do të udhëheqë Hasim Memishi Sopi
Hasim Memishi e mori detyrën dje, ndërsa tha se di të jep më të mirën nga vetja që institucioni të jetë i suksesshëm.
“Është nder dhe përgjegjësi e madhe për mua të drejtoj këtë institucion. Besoj se me përkushtimin dhe pasionin që kam për teatrin, do të jap më të mirën nga vetja që ky institucion të arrijë majat e suksesit”, tha Sopi.
Drejtori paraprak, aktori Abdulla Osmani njoftoi se javën e kaluar ka dorëzuar dorëheqje nga ky post të cilin e barti për dhjetë muaj.
“I falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët me të cilët kemi realizuar një program dinjitoz për vitin 2024 edhe pse buxheti i ndarë për teatrin e Tetovës ka qenë buxheti më i ulët që nga themelimi i teatrit”, tha Osmani.
Ai i uroi suksese drejtorit të ri, ndërsa uroi që Teatri i Tetovës të ketë sa më shpejtë objektin e ri.
Kujtojmë se objekti i ri i Teatrit të Tetovës premtohet për 14 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 10 vitet e fundit dhe ende nuk dihet nëse do të përfundojë në afatin e dhënë 2027.
Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thellësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 17 vite pas premtimit të dhënë.
Ndërtimi i Objektit të Teatrit dhe Bilbiotekës ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë.
Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite.
burimi: Portalb.mk